Interneti sot është i fiksuar me garat drag, por kjo që do shihni tani është më e vecanta. Zakonisht e hapni videon e një gare drag për të parë kush është fituesi, por kjo është një nga ato video kur e hap vetëm për të shijuar makinat teksa garojnë.
Videoja e postuar në kanalin e youtube të Lovecars vë përballë njëra tjetrës dy makina ikona europiane të kohërave komplet të ndryshme të supermakinave, një italiane dhe një britanike. Edhe pse nga performance këto dy supermakina nuk krahasohen me njëra tjetrën për shkak të diferencës së kohës kur janë prodhuar, është bukur të shohësh legjenda të tilla të garojnë mes njëra tjetrës pa qëllime fitimi. Dihet që diferenca mes P1 dhe F40 është goxha e madhe në garën drag.
Piloti që nget Mclaren P1, Tiff Needell, madje ska as nevojë ta vendosë atë në Track Mode, apo të përdorë sisteme të tilla si launch control. Ai thjesht shtyp pedalen e gazit dhe sheh teksa lë pas Ferrarin me twin turbo V8. Needell madje e pret Ferrarin ta arrijë në mes të garës, për ta lënë atë ta parakalojë dhe të gëzojë garën në shenjë respekti. Është vërtet e mrekullueshme të shohësh sesa kanë avancuar supermakinat e garave në kaq kohë, dhe kushedi sa ndryshe do të jetë kjo garë pas disa dekadash të tjera.