Këto ditë janë të trazuara për të gjithë, për gjithë Globin, a jo më për Shqipërinë…
Përtej gjithë mungesave e mangësive që vendi ynë ka, sporti, zë një vend të madh në të.
Në dukje jo i rëndësishëm, ai shpesh është tregues për nivelin kulturor e social të vendit.
E padyshim, një vend si Shqipëria ku gjithçka funksionon mbrapsht, ku injoranca është krenari e të qënit intelektual nuk të shërben për asgje, nuk do shumë mend se kjo qelizë e shoqërisë është e vdekur.
Por fati i mirë do që disa individë të mbajnë gjallë shpirtin e kompedicionit. Megjithëse një sport i shtrenjtë, motoçiklizmi në vend ende jeton.
U zhvillua këtë të dielë një garë jashtë kalendarit, një event i quajtur “Motorsport Day”, një garë me multidisiplina që zhvillohet për herë të dytë nga Federata Shiqptare e Motoçiklizmit, në pistën e motocrosit dhe enduros në Surrel, komuna Dajt, Tiranë.
Pamjet i ngjanin së tepërmi atyre që jemi mësuar t’i shohim vetëm në televizion ose internet, pasi në krahasim me mundësitë që Shqipëria ka për evente të tilla, gjëndja mbetet ende shumë e vakët.
Edhe një herë motoçiklistët kosovarë treguan dominimin e tyre në garat enduro dhe motorcross. E veçanta e këtij eventi, ishte edhe pjesëmarrja në gara e dy miqve të huaj, përkatësisht nga Finlanda e Italia, vende të cilat janë të njohur në arenën ndërkombëtare për garat e motorsportit.
E teksa në vendet në fjalë diskutohet se çfarë duhet bërë më shumë, në Shqipëri diskutohet, ose më saktë paragjykohet me një injorancë të trashëguar se “këta i ka lënë mëndja, duan të thyejnë qafen”!