Share with:


Departamenti amerikan i Drejtësisë ka arritur një marrëveshje me prodhuesin gjerman të makinave, Volkswagen, lidhur me akuzat për anashkalim të standarteve amerikane të ndotjes që shkaktojnë makinat me naftë. Komentet i bëri Prokurorja e Përgjithëshme e Shteteve të Bashkuara, Loretta Lynch.

“Në bazë të marrëveshjes, Volkswagen po pranon fajin për tre vepra penale: konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, mashtrim në transferimin e parave dhe shkelje të Aktit për Ajrin e Pastër; pengim të drejtësisë dhe importim mallrash përmes dekleratave të rreme.”

Prokurorja e Përgjithëshme e Shteteve të Bashkuara, Loretta Lynch, tha të mërkurën se Volkswagen ka rënë dakord të paguajë 4 miliard dollarë në dënime penale dhe civile dhe të marrë masa për të parandaluar shkelje në të ardhmen.

Këto u shtohen marrëveshjeve të njoftuara më parë prej më shumë se 15 miliardë dollarë. Kompania Volkswagen ka pranuar se instaloi programe kompjuterike që anashkalojnë testin e ndotjes në rreth 11 milion makina me naftë të shitura në mbarë botën.

Gjatë testimit të makinave për ndotjen, programi kompjuterik anashkalonte rezultatin e vërtetë të ndotjes nga djegia e naftës. Këto makina faktikisht shkaktonin ndotje deri 40 herë më shumë nga niveli i lejuar në bazë të ligjit.

“Që të jemi të qartë, Volkswagen i dinte këto probleme dhe, kur rregullatorët shprehën shqetësime, Volkswagen i hodhi poshtë dhe gënjeu.” – tha zonja Lynch.

Zonja Lynch tha se janë paditur gjashtë drejtues të lartë të kompanisë Volkswagen në lidhje me skandalin i njohur si “Dieselgate”, përfshi Oliver Schmidt që drejton zyrën e inxhinierisë dhe mjedisit i cili u arrestua të shtunën në Shtetet e Bashkuara.

Në bazë të marrëveshjes, Volkswagen do të duhet të punësojë një vëzhgues të pavarur për të mbikëqyrur programin e kompanisë për etikën dhe zbatimin e rregulloreve, që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet në vazhdim. Kompania do të jetë në provë për tre vjet.

Share with:


protire