Nëse qarkulloni pa kolaudim, leje qarkullimi apo letrat e tjera jo ne rregull, kini kujdes! DPSHTRR sapo ka perfshire ne floten e vet nje sistem te ri monitorimi ne terren: eMonitorim 2, projekt pilot, në bashkëpunim me AKSHI.
Qëllimi kryesor i projektit është evidentimi transparent i situatës reale mbi mjetet rrugore që qarkullojnë edhe pse duhet të ishin çregjistruar (aktet e amnistive të mëparshme pa kthyer targat), që kryejnë informalitet në transportin rrugor të mallrave ose udhëtarëve (pa licensa/jashtë afateve apo linjave të caktuara), analizimi në funksion të masave dhe raportimi i menjëhershëm në organet e kontrollit rrugor (Polici Rrugore, Polici Bashkiake dhe Task Forca e Transportit Rrugor) paralel me informimin e qytetarit/subjektit posedues të mjetit rrugor përmes platformave online! Synim urgjent është ndërgjegjësimi publik mbi përgjegjësitë e detyrimet periodike që burojnë nga posedimi/përdorimi i mjetit rrugor dhe rritja e besimit të publikut tek shërbimet e transportit rrugor, duke ngushtuar lakun ndaj abuzivizmit dhe pandëshkueshmërisë së spekulantëve!
Investimi përfshin pajisje për të lexuar targat e mjeteve në qëndrim ose në lëvizje me të dhëna si data, ora dhe koordinata të vendndodhjes, integruar me pajisje mobile, të cilat përmes programeve të instaluara do të bëjnë të mundur zbulimin në kohë reale të pamjes dhe të dhënave mbi automjetin.