Prej ditës së sotme ka nisur zbatimi i rregullave të reja të përgjysmimit të masës së gjobës së makinave, nëse paguhet brenda afatit 15-ditor.
Më herët, drejtuesit e mjeteve që paguanin një masë administrative brenda 5 ditësh, përfitonin 20% ulje. Tashmë me rregullat e reja, me ndryshimet e miratuara në Kodin Rrugor, nëse paguhet brenda 15 ditëve, vlera e gjobës do të paguhet me 50% ulje.
Rregullat e reja që nga përgjysmimi i masës së gjobës për makinat nëse paguhet brenda afatit deri te zgjatja e kohës së vlefshmërisë së patentave nga 10-vjeçare në 15-vjeçare, rritja e shpejtësisë maksimale për të qarkulluar në autostradë deri tek ashpërsimi i gjobave nëse nuk zbatohen rregullat për fëmijët hynë në fuqi pas miratimit të ndryshimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Për lejet e drejtimit, afati i vlefshmërisë së tyre zgjatet me 5 vite. Konkretisht lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup-moshave, ishin të vlefshme për 10 vjet, nëse janë lëshuar për persona deri në moshën 50 vjeç; 5 vjet, për ata që e kanë kaluar moshën 50-vjeçare dhe 3 vjet, për ata që i kanë kaluar të 70-at.
Ndryshimet në Kodin Rrugor rrisin shpejtësinë maksimale të lejuar për të udhëtuar në autostradë nga 110 km/orë që ishte më përpara në 130 km/orë.